IN MEMORIAM Dr. Ferid Murad
Në moshën 87-vjeçare u nda nga jeta doktor Ferid Murad, mjek dhe shkencëtar me famë botërore, fitues i çmimit Nobel për Fiziologji dhe Mjekësi. Dr. Murad ndonëse jetonte dhe punonte në SHBA, ai themeloi marrëdhënie të ngushta dhe të shkëlqyera me vendin tonë sepse babai i tij vinte nga Lakavica e Gostivarit.
Në shenjë respekti për imazhin dhe veprën e tij, emrin e tij e mban edhe spitali i Gostivarit, ndërsa në vitin 2018 Oda e mjekëve i dhuroi Mirënjohje për promovimin e mjekësisë. Dr. Murad ishte gjithashtu anëtar i AMSHA.
Ka dhënë mësim në universitetet më eminente të Amerikës dhe më gjerë. Në vitin 1998, së bashku me dy kolegë, ai mori çmimin Nobel në Fiziologji/Mjekësi për zbulimet në lidhje me rolin e oksidit të azotit në sistemin kardiovaskular.
Është shpërblyer me titullin “Doktor Nderi” nga shumë universitete dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare arsimore dhe shkencore. Ai ka edhe titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.
Dr. Murad do të mbahet mend si një mjek dhe shkencëtar i shquar, por edhe një person i jashtëzakonshëm me një empati të madhe për vendin tonë. Oda e Mjekëve i shpreh ngushëllimet familjes.