Denonco dhunën ndaj mjekëve
Të nderuar kolegë dhe kolege,
Nëse keni qenë të ekspozuar ndaj një sulmi verbal ose fizik ose sjelljeje të dhunshme nga ndonjë pacient, shoqërues i pacientit ose persona të tretë gjatë kryerjes së veprimtarisë profesionale, Ju mund ta denonconi atë në Odën e Mjekëve, duke plotësuar formularin që është i disponueshëm në ueb faqen tonë.
Oda e Mjekëve dënon ashpër dhe e konsideron të papranueshme çdo formë dhune dhe sjelljeje agresive ndaj mjekëve, qoftë dhunë në formë fizike, verbale apo çdo formë tjetër.
Në muajin shkurt viti 2023, si rezultat i iniciativës dhe përpjekjeve afatgjatë të Odës së Mjekëve, u bënë ndryshime në Kodin Penal, sipas të cilave çdo formë dhune ndaj punonjësit shëndetësor konsiderohet si sulm ndaj një personi zyrtar, që paraqet vepër penale. Veprat si përdorimi i forcës, kërcënimet serioze, fyerjet, keqtrajtimet, lëndimet fizike ose kërcënime ndaj mjekut me përdorimin e armës gjatë kryerjes së detyrave të punës profesionale janë vepra penale për të cilat parashikohet dënim me burg.
Ligji parashikon që kryesi i veprës mund të lirohet nga dënimi, nëse është provokuar nga sjellja e paligjshme ose e vrazhdë e personit zyrtarit ose e personit që e ndihmon. Oda, gjithashtu, rikujton se mjekët në kryerjen e detyrave të tyre të punës duhet të respektojnë Kodin e Etikës Mjekësore dhe protokollet e trajtimit.
Oda e Mjekëve i inkurajon të gjithë mjekët që kanë përjetuar dhunë në vendin e punës që rastin ta denoncojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për zbatimin e procedurave të mëtejshme sipas detyrës zyrtare, por gjithashtu incidentin ta paraqesin edhe në Odën e Mjekëve. Në këtë mënyrë, Oda e Mjekëve do të mund të ketë një pasqyrë më të saktë të numrit të rasteve të dhunës në institucionet shëndetësore, të ndjek në mënyrë aktive veprimet e institucioneve kompetente, të ofrojë këshilla juridike për anëtarët e saj, ku është e nevojshme, të propozojë masa dhe politika për të çrrënjosur dhunën ndaj mjekëve dhe të ndërmarrë aktivitete në kuadër të kompetencave të saj.
Me vendimin për të denoncuar dhunën, ju i ndihmoni përpjekjet e Odës së Mjekëve për të siguruar mjedis më të sigurt për punonjësit shëndetësorë dhe pacientët. Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk duhet të tolerohet.
Formularin për Denonco dhunën ndaj mjekëve mund ta shkarkoni KËTU. Formularin e plotësuar mund ta dërgoni në e-mail: lkm@lkm.org.mk ose ta dorëzoni në arkivin e Odës së Mjekëve në adresën “Аrradhat partizane” nr. 3, 1000 Shkup.
Nëse keni pyetje shtesë apo ju nevojiten informacione të tjera, mund të shkruani në: lkm@lkm.org.mk ose të kontaktoni përmes numrave të telefonit: 02/3225 592 dhe 02/3225 590.
SHËNIM: Incidentet dhe kontestet (mosmarrëveshjet) në vendin e punës ndërmjet dy ose më shumë personave zyrtarë nuk janë objekt i kësaj forme të denoncimit të dhunës ndaj mjekëve.