12 Marsi, Dita europiane e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë
OM: Zero tolerancë për dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë
Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë po merr intensitet, dhe për çrrënjosen e saj kërkohen zgjidhje sistematike që do të zbatohen në nivel kombëtar dhe në nivel të institucioneve shëndetësore, shpreh Oda e Mjekëve me rastin e shënimit të 12 Marsit, Dita europiane ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë, e cila shënohet për herë të pestë këtë vit.
“Oda e mjekëve e konsideron të papranueshme çdo formë dhune ndaj mjekëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, pavarësisht nëse është dhunë fizike apo verbale dhe nga kush është apo nga vjen. Të gjithë duhet të insistojmë në zero tolerancë për çdo lloj sjelljeje agresive apo të dhunshme dhe ta denoncojmë pa përjashtim. Është e nevojshme që mjekët të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës në mënyrë që të trajtojnë pacientët pa ndërprerje. “Mjekët dhe pacientët janë pjesë e tërësië së njejtë dhe vetëm me respekt të ndërsjelltë, dhe duke ndërtuar besim mund të arrijnë qëllimin e përbashkët, i quajtur, shërim”, shprehu Prof. Dr. Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Me iniciativën dhe përpjekjen e Odës së Mjekëve, në vitin 2023 janë bërë ndryshime në Kodin Penal, në të cilën dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë është dhunë ndaj personit zyrtarë dhe paraqet vepër penale. Pra, veprimet si përdorimi i forcës, kërcënimet serioze, fyerjet, keqtrajtimet, lëndimet fizike ose kërcënimet e mjekut me armë gjatë kryerjes së detyrave të punës profesionale janë vepra penale për të cilat parashikohet dënim me burg.
Oda apelon që mjekët të denoncojnë incidentet e dhunshme në polici dhe më pas të dorëzojnë informacione në Odë. Oda i mbledh këto të dhëna për të ndjekur veprimet e institucioneve kompetente, por edhe për të propozuar masa dhe politika për tejkalimin e problemit.
Në vitin 2017, në bashkëpunim me Odat e tjera mjekësore si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, është nënshkruar Deklaratë – Stop dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë. Një nga parimet e Deklaratës ishte të përpunohen strategjitë dhe planet në nivel kombëtar dhe në nivel të institucioneve shëndetësore për parandalimin e dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë. Tjetër aktivitet i paraparë me Deklaratë ishte sigurimi i një sistemi nga Qeveria dhe institucionet shëndetësore përmes të cilit do të dokumentohen të gjitha incidentet e dhunës në shëndetësi. Oda inkurajon institucionet kompetente që të përshpejtojnë realizimin e aktiviteteve që i parashikon kjo Deklaratë, sepse vetëm një mjedis i sigurt në të cilin ofrohen shërbime shëndetësore garanton mbrojtje të sigurtë shëndetësore, profesionale dhe kualitative për pacientët.
Në anketën e kryer nga Oda e Mjekëve dy vite më parë, 78% e mjekëve raportuan që kanë qenë të ekspozuar ndaj një lloj dhune në vendin e punës. Prej tyre, 80% kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës verbale, ndërsa 6.8% kanë përjetuar dhunë fizike. Pothuajse 70% e sulmeve nuk janë të denoncuara fare.