Oda e Mjekëve nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me shoqatat e pacientëve
Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përbashkët në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për trajtimin e pacientëve dhe punën e mjekëve, Oda e Mjekëve nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me shoqatat e pacientëve. Dokumentin, në emër të Odës e nënshkroi kryetarja prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova me përfaqësues të Shoqatës së qytetarëve me sëmundje të veshkave "Nefron", Shoqatës së qytetarëve për sëmundje të rralla "Jeta me sfida", Qendrës Hepar Manastir, Shoqatës së qytetarëve me leukemi mieloide kronike, Shoqatës për mbështetjen e personave që jetojnë me HIV "Së bashku më të fortë", Lidhjen e shoqatave të diabetikëve të Maqedonisë së Veriut, Shoqatës së pacientëve me kancer dhe kujdestarëve të tyre "HEMO-ONKA" dhe Shoqatës për ndihmë dhe mbështetje të pacientëve me sëmundje gjinekologjike "FEMINA M".
Kryetarja e Odës së Mjekëve, prof. dr. Grivçeva Stardelova theksoi se memorandumi është shprehje e vullnetit të mirë nga të dyja palët për bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë.
“Kjo është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë ne, sepse i dërgojmë sinjal të qartë publikut se mjekët dhe pacientët nuk janë dy palë të kundërshtuara, siç perceptohet shpesh por, përkundrazi, janë aleatë të vërtetë me një qëllim të përbashkët – të mundësojnë trajtimin më të mirë për pacientët, që ndërlidhet ngushtë me ofrimin e kushteve më të mira për punë të mjekëve”, theksoi Prof. dr. Grivçeva Stardelova.
Aktivitetet e përbashkëta do të orientohen në ngritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet pacientëve dhe mjekëve për të përforcuar besimin dhe për të krijuar një marrëdhënie partneriteti, për të dhënë mbështetje të ndërsjellë për çështje me interes të përbashkët përmes njoftimeve të përbashkëta, konferencave të shtypit , forumeve, realizimit të aktiviteteve të përbashkëta që synojnë ngritjen e nivelit të shëndetit të përgjithshëm, si dhe performancë të përbashkët para institucioneve kompetente për propozimin e zgjidhjeve për çështje të interesit të përbashkët. Si aktivitet parësor në periudhën e ardhshme u identifikua nevoja për përfshirje të përbashkët në procesin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Listën Pozitive të Barnave.
Nënshkruesit e Memorandumit, po ashtu, do të mbajnë takime të rregullta koordinuese dhe në këto aktivitete do të mund të bashkëngjiten edhe shoqatat e tjera të pacientëve që ndajnë të njëjtat qëllime dhe interesa.