OM: Institucionet t‘i mbrojnë mjekët nga abuzimi për reklamat e rreme
Oda e mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shoqatë profesionale e të gjithë mjekëve të mjekësisë, publikisht kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të veprojnë urgjentisht dhe të parandalojnë keqpërdorimin e integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksion të reklamimit të rremë në forma të paverifikuara të preparateve mjekësore, medikamenteve, suplementeve ushqimore, metodave apo mjeteve ndihmëse për mjekim, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në portalet e internetit dhe rrjetet sociale.
Oda merr gjithnjë e më shpesh ankesa nga mjekë të cilët ankohen se zbulojnë rastësisht se emri dhe fotografia e tyre po përdoren për promovimin dhe shitjen e produkteve të caktuara pa pajtueshmërinë ose dijeninë e tyre. Ky përdorim i integritetit të tyre profesional ka pasoja të rënda negative, si për reputacionin e tyre si profesionistë mjekësorë, ashtu edhe për pacientët që mund të bien viktimë e këtij mashtrimi.
Gjegjësisht, bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe të rreme për të ashtuquajturit produkte mjekësore, preparate dhe metoda me origjinë, përbërje ose prodhim të paverifikuar. Në reklama publikohen deklarata të fabrikuara apo intervista me mjekë të vërtetë dhe fotot e tyre, pa dhënë pajtueshmërinë e duhur nga ana e mjekëve për të përdorur emrin dhe integritetin profesional për reklamimin e këtyre preparateve, prandaj kjo mund të konsiderohet si abuzim i rëndë i të dhënave personale dhe reklamim fals për përfitime materiale. Dëmi është edhe më i madh kur për shkak të reklamimit të rremë të preparateve, pacientëve mund tu krijohet përshtypja se këto janë disa lloje të barnave mrekullibërëse dhe në këtë mënyrë neglizhojnë terapinë e rregullt dhe shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e tyre.
Oda inkurajon mjekët që janë viktima të abuzimeve të tilla të raportojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kur është e mundur të paralajmërojnë pacientët për këto reklama false.
Në institucionet kompetente një numër i madh i mjekëve tashmë kanë dorëzuar kallëzime penale me prova relevante. Oda deri më tani ka reaguar publikisht dhe ka paralajmëruar përmes njoftimeve për pasojat, por ende nuk kemi informacione për vendimet e prokurorisë publike për këto raste.
Oda e Mjekëve edhe një herë dënon ashpër të gjitha keqpërdorimet e tilla dhe kërkon veprime më të shpejta për zbardhjen e menjëhershme të rasteve dhe sanksionimin e duhur të autorëve. Në këtë mënyrë do të mbrohen edhe mjekët edhe pacientët, do të parandalohet gjenerimi i rasteve të reja të abuzimit dhe do të parandalohet mundësia e dëmtimit të shëndetit të qytetarëve.