Qëndrimi i OM për ngjarjet e Klinikës për Onkologji dhe Radioterapi
Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh shqetësim të madh në lidhje me informacionet shqetësuese të paraqitura në media për keqpërdorime të pretenduara të citostatikëve në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi, që nëse konfirmohen si të vërteta, kjo do të thotë shkelje e madhe e të drejtave të pacientëve, por edhe mosrespektim e parimeve themelore të etikës në kryerjen e veprimtarisë shëndetësore, të cilat duhet të jenë prioritet në punën e çdo mjeku dhe të çdo punonjësi shëndetësor në përgjithësi.
Asnjë pacient në vendin tonë, veçanërisht pacientët onkologjikë që janë në gjendje kërcënuese për jetën, nuk duhet të vihet në asnjë moment në një situatë ku terapia e siguruar nga paratë e buxhetit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të mos jetë në dispozicion të tyre të plotë ose nga Ministria e Shëndetësisë, aq më pak ajo terapi të abuzohet për përfitime personale të individëve.
Oda e Mjekëve i ofron mbështetje sistemit të prokurorisë publike dhe organeve hetimore, të cilat presim që sa më shpejt t’i zbardhin dyshimet dhe të ndajnë me publikun informacionin e saktë se çfarë ka ndodhur saktësisht në këtë klinikë, e cila është objekti i vetëm shëndetësor i lloji i tij në vendin tonë dhe ku trajtohen numri më i madh i pacientëve me sëmundje malinje. Gjithashtu jemi të bindur fort se në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë ka punonjës të ndershëm shëndetësorë që mjekojnë me ndërgjegje, përgjegjësi dhe profesionalizëm pacientët dhe këtyre historive të suksesit duhet t'u lihet hapësirë edhe në opinion, prandaj theksojmë se nuk duhen dhënë dënime kolektive, por fajtorët duhet të publikohen dhe të sanksionohen në bazë të provave relevante.
Oda e mjekëve do të monitorojë me vigjilencë të gjitha zhvillimet dhe do të përgjigjet me kohë në kuadër të kompetencave të saj nëse vërtetohet se mjekë të caktuar nga kjo Klinikë kanë kryer keqpërdorime që kanë shkelur parimet etike dhe kodin e deontologjisë mjekësore ose kanë shkaktuar dëme të drejtpërdrejta te pacientët në procesin e mjekimit.