Oda e Mjekëve ndau mirënjohjet dhe çmimet të realizuara gjatë vitit
Në Shtëpinë e Kulturës në Kavadar u mbajt një manifestim me ceremoni solemne me rastin e shënimit të 34-vjetorit të themelimit të Odës së Mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, në mesin e të cilëve zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor dr. Sasho Klekovski, dekanët e fakulteteve të mjekësisë, përfaqësues të odave profesionale, si dhe shumë doktor dhe mysafirë.
Në fjalimin e saj, kryetarja e Odës së Mjekëve, prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, u ndal te aktivitetet e Odës midis dy përvjetorëve, duke theksuar se periudha e kaluar ishte e përmbushur me punë intensive dhe aktivitete strategjike në planin vendor dhe atë ndërkombëtar. Si një sukses kyç në vitin e kaluar u theksua anëtarësimi me të drejta të plota i Odës së Mjekëve në Këshillin Evropian të Odave të Mjekëve, i realizuar në mars të këtij viti, gjë që mundëson harmonizim direkt me standardet mjekësore evropiane dhe fuqizimin e zërit të mjekëve të RMV në Evropë.
Lidhur me sfidat e brendshme, kryetarja vuri në dukje publikisht anomalitë serioze strukturore me të cilat përballet shëndetësia e RMV, para së gjithash, mungesë kuadri kronie të mjekëve në disa qytete dhe specializime, gjë që çon në mbingarkesë të klinikave dhe spitaleve në Shkup, ndërsa kapacitetet në brendësi të vendit mbeten të pashfrytëzuara mjaftueshëm. Në fjalën e saj, ajo u dërgoi një apel të qartë institucioneve kompetente:
„Oda dorëzon kërkesa dhe propozime, por nuk e ka fuqinë që këto propozime t'i zbatojë në praktikë, sepse këtë mund ta bëjnë vetëm krijuesit e politikave shëndetësore. Dhe pikërisht ata duhet të tregojnë mirëkuptim më të madh për kërkesat thelbësore të Odës, sepse mjekët janë resursi më i rëndësishëm në sistemin shëndetësor dhe posedojnë njohuri profesionale dhe përvojë për të nxitur ndryshime pozitive. Prandaj, konsiderojmë se në periudhën e ardhshme duhet të forcohet rrënjësisht dialogu institucional me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor, në mënyrë që të mund të zbatohen reforma të vërteta“, theksoi prof. dr. Stardelova Grivçeva.
Zëvendëskryetari i Odës, doc. dr. Bekim Ismaili, potencoi se Oda për më shumë se tri dekada përfaqëson një shtyllë të profesionalizmit, etikës mjekësore dhe zhvillimit të vazhdueshëm të veprimtarisë shëndetësore në vendin tonë.
„Në 34 vitet e kaluara, Oda e Mjekëve luajti një rol kyç në mbrojtjen e integritetit të profesionit të mjekut, në avancimin e standardeve të larta profesionale dhe në mbështetjen e edukimit të vazhdueshëm mjekësor. Falë përkushtimit dhe mundit të gjeneratave të mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, ndërtuam një institucion që gëzon besim dhe respekt si në mesin e anëtarëve të tij, ashtu edhe në opinionin e gjerë“, tha doc. dr. Ismaili.
Në ceremoninë solemne u ndanë çmimet dhe mirënjohjet të realizuara gjatë vitit për individë të dalluar. Mirënjohja më e lartë e Odës, çmimi „Shën Naumi i Ohrit“ për arritje të veçanta në fushën e shëndetësisë i takoi dr. Mevludin Kuç, ndërsa në emër të tij çmimin e pranoi i biri, dr. Zlatan Kuç.
Çmimin „Primarius dr. Dimitar Ivanovski“ për tre studentët e mjekësisë me mesataren më të lartë e pranuan Stevan Bogdanov nga Fakulteti i Mjekësisë në Shkup, Aleksandar Veliçkov nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Shtip dhe Erda Aliu nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Tetovë.
Plaketa për punimin më të mirë shkencor të botuar në gazetën zyrtare „Vox Medici“ u ndau autorëve Shkelqim Muharemi, Gjulshen Selim, Liljana Tozija, Jetmir Ziba, Nikolla Gjorgjievski, Igor Nikollov, Rexhep Selmani dhe Vangjelka Kovaçeska Shavreska për punimin e tyre mbi sfidën diagnostikuese te infeksioni me hantavirus.
Oda ndau edhe mirënjohje për gazetarët dhe mediat që përmes emisioneve të tyre kushtuar shëndetësisë kontribuojnë në ngritjen e kulturës shëndetësore të popullatës. Mirënjohje morën Biljana Debarlieva („Faktor zdravje“ – TV24), Sevdije Metaj („Pro vita“ – MRT2), Aleksandar Dinev dhe Sanja Dimitrovska („Dobriot doktor“ – Sitel), Marija Atanasovska („Telma ambulanta“ – Telma), si dhe Argjira Elmazi dhe Arta Sefadini („Ogledalo na zdravjeto“ – Alsat M).
Në fund, një mirënjohje e veçantë iu dorëzua kryetarit të Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, për mbështetjen e tij vetëmohuese, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në shëndetësinë në RMV, si dhe për patronazhin e shënimit të përvjetorit të Odës.





