Oda e Mjekëve shënon 34-vjetorin e themelimit dhe hap në mënyrë solemne këndin historik të mjekësisë
Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot me një konferencë për media shënon jubile – 34 vjet nga themelimi i Odës. Në kuadër të ceremonisë solemne, u hap zyrtarisht edhe këndi historik i mjekësisë, i vendosur në ambientet e Odës.
Kjo hapësirë është konceptuar si një ruajtës i përhershëm i kujtesës për zhvillimin e shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë, ku përmes dokumenteve, fotografive dhe objekteve dëshmohet rruga, sfidat dhe sukseset e profesionit mjekësor në vendin tonë.

Para të pranishmëve dhe mediave, udhëheqësia e Odës u ndal te tri dekadat e kaluara, duke potencuar rolin kyç të institucionit në mbrojtjen e profesionalizmit, dinjitetit dhe të drejtave të mjekëve, si dhe në avancimin e vazhdueshëm të sistemit shëndetësor.
"Ky jubile nuk është vetëm një kujtesë e ditës kur vendosëm themelet e Odës, por edhe e përgjegjësisë që mbajmë ndaj të gjitha gjeneratave të mjekëve para nesh dhe atyre që po vijnë. Këndi historik i mjekësisë është shprehje e respektit tonë ndaj të gjithë kolegëve që kanë investuar jetën e tyre në shëndetësinë Republikën e Maqedonisë dhe kanë lënë gjurmë të përhershme në profesionin tonë", theksoi prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës.
Në ceremoninë solemne u theksua se Oda edhe në të ardhmen do të vazhdojë të punojë aktivisht në përmirësimin e statusit të doktorëve të mjekësisë, edukimin e vazhdueshëm mjekësor dhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm.

Pas përfundimit të pjesës zyrtare, të pranishmit patën mundësinë të vizitojnë këndin e sapohapur dhe të njihen me materialet historike të ekspozuara. Objektet e ekspozuara janë donacion nga familja e dr. Gjorgji Dudev (1905-1957), i cili ishte ndër mjekët e parë të diplomuar nga rajoni i Prilepit. Dr. Dudev kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ndërsa si mjek kishte punuar në Prilep, Shkup dhe qytete të tjera të vendit, si dhe kishte marrë pjesë aktive në ngritjen e sistemit shëndetësor në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore. Në shenjë falënderimi, Oda u ndau nipërve të dr. Dudevit mirënjohje për afirmimin e historisë së mjekësisë.

Oda e Mjekëve është formuar më 5 qershor 1992, me iniciativën e disa doktorëve nga Shoqata Mjekësore e Maqedonisë. Seanca e parë konstituive e Kuvendit të Odës u mbajt në ambientet e Spitalit Ushtarak. Dhjetë vjet më vonë, Oda mori autorizimet publike për lëshimin e licencave të punës, organizimin e dhënies së provimit profesional, akreditimin e ngjarjeve për edukimin e vazhdueshëm mjekësor, me këtë u vendos një sistem shumë i rëndësishëm për rregullimin e profesionit mjekësor, i cili na afron drejtpërdrejt me standardet evropiane.





