Oda e Mjekëve me mbështetje për javën Evropiane të Imunizimit: Vaksinat janë efikase për çdo gjeneratë
Oda e Mjekëve e RMV, si anëtare e Koalicionit Evropian për Vaksinim, mbështet dhe promovon temën e javës vjetore Evropiane të Imunizimit: „Vaksinat janë efikase për çdo gjeneratë“. Oda dhe anëtarët e tjerë të Koalicionit, të cilët përfaqësojnë shoqatat evropiane të punonjësve shëndetësorë dhe studentëve, shprehin shqetësimin se suksesi i mbrojtjes që ofron vaksinimi mund të rrezikohet për shkak të hezitimit për vaksinim, mungesës së vaksinave, dezinformatave dhe lajmeve të rreme, si dhe barrierave strukturore për qasje në sistemet shëndetësore. Humbja e kësaj mbrojtjeje mund të ketë pasoja të rrezikshme për individët dhe për popullatën në tërësi.
Anëtarët e Koalicionit promovojnë mesazhet në vijim:
- Vaksinat mbrojnë në mënyrë të sigurt njerëzit, familjet dhe komunitetet dhe vazhdojnë të ruajnë të ardhmen tonë.
- Punonjësit shëndetësorë duhet të jenë të trajnuar për komunikim të qartë dhe empatik rreth vaksinave, duke ndihmuar familjet që hezitojnë ose kanë pyetje të ndihen të informuara, të dëgjuara dhe të sigurta në vendimet e tyre për imunizim.
- Të forcohet mirëkuptimi i opinionit publik për shkencën që qëndron pas sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave, duke u mundësuar individëve, familjeve dhe komuniteteve të marrin vendime të informuara për vaksinimin.
- Të forcohet besimi te vaksinimi përmes theksimit të transparencës, përgjegjësisë dhe inovacioneve të vazhdueshme në imunizim, si dhe të theksohet përgjegjësia e përbashkët për mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme përmes investimeve të vazhdueshme, kërkimeve dhe qasjes së drejtë drejt vaksinave.
Oda e Mjekëve mbështet aktivitetin e vazhdueshëm të institucioneve kompetente evropiane dhe vendore me qëllim:
- Sigurimin e informacioneve të qarta dhe të disponueshme të bazuara në dëshmi.
- Kundërshtimin aktiv të dezinformatave dhe lajmeve të rreme.
- Mbështetjen e strategjive nacionale për vaksinim të bazuara në dëshmi shkencore.
- Sigurimin e edukimit adekuat dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional për punonjësit shëndetësorë.
- Monitorimin e suksesit të programeve të imunizimit.
- Përmirësimin e transparencës në proceset e miratimit të vaksinave.
- Forcimin e mbikëqyrjes së pavarur mbi sigurinë e vaksinave në nivel nacional dhe në nivel të BE-së.
Koalicioni për Vaksinim është formuar në vitin 2019 nga Komisioni Evropian dhe lidh të gjitha asociacionet evropiane të profesionistëve shëndetësorë dhe organizatat relevante studentore. Koalicioni udhëhiqet nga Komiteti i Përhershëm i Mjekëve Evropianë (CPME), Federata Evropiane e Infermierëve (EFN) dhe Grupi Farmaceutik i Bashkimit Evropian (PGEU), qëllimi kryesor i tij është sigurimi i informacioneve të sakta për vaksinimin në publik, hedhja poshtë e miteve dhe shkëmbimi i përvojave për praktikat më të mira të vaksinimit.





