Sulmi ndaj mjekut është sulm ndaj sistemit shëndetësor – masa ndëshkuese urgjente dhe mjedis i sigurt për punë
Oda e Mjekëve e RMV, së bashku me asociacionet mjekësore evropiane dhe Ministrinë e Shëndetësisë, sot shënojnë 12 Marsin, Ditën Evropiane për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë, e cila përfaqëson një alarm për "pandeminë e heshtur" që po dëmton shëndetësinë dhe shoqërinë.
Kryetarja e Odës, prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, thekson se kur një mjek sulmohet verbalisht, fizikisht ose përmes rrjeteve sociale, nuk vuan vetëm individi, por i gjithë sistemi dhe pacientët që presin ndihmë.
„Ne mjekët nuk jemi armiqtë tuaj, përkundrazi, mjeku është ai që lufton për jetën tuaj në kushte të ndryshme. Dhuna dhe agresioni nuk janë zgjidhje për mangësitë sistematike“, deklaroi prof. dr. Grivçeva Stardelova.
Të dhënat janë shqetësuese dhe tregojnë se mbi 70% të mjekëve në vend janë përballur me dhunë në vendin e punës, ndërsa anketat e Odës zbulojnë se madje 78% e mjekëve kanë qenë të ekspozuar ndaj ndonjë lloji të dhunës, nga të cilët 80% ndaj dhunës verbale dhe 6.8% ndaj dhunës fizike. Pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, me të cilat sulmi ndaj punonjësit mjekësor trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar, rezultatet e pritura mungojnë pasi pothuajse 70% e sulmeve nuk raportohen fare për shkak të procedurave e ndërlikuara ose perceptimit të mjekëve se kjo është pjesë e punës së tyre. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit të kaluar janë paraqitur dy padi penale për veprën penale „sulm ndaj punonjësit shëndetësor dhe bashkëpunëtorit shëndetësor gjatë kryerjes së veprimtarisë shëndetësore“, për të cilën janë denoncuar tre persona që kan kryer veprën penale. Një rast ka ndodhur në Shkup, ku janë denoncuar dy autorë, dhe një rast në Shtip.
Prof. dr. Kardi Haxhihamza, anëtar i Bordit Eksekutiv të Odës, si psikiatër paralajmëron për seriozitetin e pasojave të sulmeve.
„Pasojat e dhunës ndaj mjekëve janë serioze dhe përfshijnë stresin psikologjik, ankthin dhe rraskapitjen (burnout), gjë që i detyron shumë prej tyre të mendojnë për largimin nga profesioni ose shkuarjen jashtë shtetit, duke dobësuar kështu sistemin shëndetësor. Për parandalimin e këtyre dukurive, është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të vendosin masa më të mira sigurie si sigurimi fizik dhe system të kamerave për mbikëqyrje, por edhe të punohet në përmirësimin e komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve dhe në edukimin e pacientëve.
Oda e Mjekëve insiston në zgjidhje të shpejtë institucionale për çdo incident dhe ndalimin e linçimit digjital ndaj mjekëve, duke apeluar njëkohësisht për përmirësimin e kushteve të punës përmes rritjes së personelit dhe organizimit më të mirë.
„Humaniteti është një rrugë me dy kahje, andaj nevojitet respekt dhe tolerancë zero për dhunën nga gjithë faktorët – institucionet, mediat dhe qytetarët – me qëllim të ndërtimit të një mjedisi të sigurt ku mjekët do të mund të ushtrojnë profesionin e tyre me dinjitet. Oda u bën thirrje të gjithë mjekëve që detyrimisht t'i raportojnë incidentet në polici dhe në Odë, sepse vetëm me sanksione të duhura do të ndalet dërgimi i mesazhit se dhuna është një formë e pranueshme për shprehjen e pakënaqësisë“, thekson prof. dr. Grivçeva Stardelova.
Masat më të mira të sigurisë duhet të përfshijnë prezencë më të madhe të sigurimit, sistemi i kamerave për mbikëqyrje dhe protokolle të qarta për reagim në rast agresioni. Gjithashtu, duhet të punohet në përmirësimin e komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve. Kur pacientët janë të informuar mirë për gjendjen e tyre dhe procesin e mjekimit, niveli i mosbesimit dhe frustrimit zvogëlohet. Në edukimin e mjekëve duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje zhvillimit të empatisë dhe shkathtësive të komunikimit. Gjithashtu janë të nevojshme edhe fushata edukative publike për pacientët, të cilat do të ngritet ndërgjegjësimi për nevojën e respektit ndaj punonjësve shëndetësorë dhe do të kontribuojnë në krijimin e një kulture të respektit të ndërsjellë.





