Oda e Mjekëve me mbështetje për Propozim ligjin për mbrojtjen nga pirja e duhanit
Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si organizatë profesionale që bashkon mjekët nga të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, jep mbështetje për Propozim-ligjin e ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit dhe për masat që vendosen me të, me qëllim avancimin e shëndetit publik dhe mbrojtjen e popullatës, veçanërisht të fëmijëve, të rinjve dhe grupeve të ndjeshme.
Mjekët çdo ditë ballafaqohen me pasojat shëndetësore nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe nikotinës si dhe nga ekspozimi ndaj tymit. Sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet malinje, gjendjet kronike të mushkërive dhe probleme të shumta të tjera shëndetësore janë drejtpërdrejt ose tërthorazi të lidhura me pirjen e duhanit dhe paraqesin një barrë serioze si për individin, ashtu edhe për sistemin shëndetësor.
Duke ndjekur praktikat e mira evropiane, Oda e Mjekëve konsideron se masat e reja për kontrollin e produkteve të duhanit dhe nikotinës, si dhe mbrojtja nga pirja pasive e duhanit, do të kontribuojnë ndjeshëm në: uljen e numrit të përdoruesve të rinj të këtyre produkteve (veçanërisht te të rinjtë); mbrojtjen efikase të jopirësve të duhanit në hapësira të mbyllura dhe krijimin e një mjedisi të shëndetshëm jetese dhe pune.
Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi gjitha interesat tjera. Besojmë se respektimi i qëndrueshëm i kufizimeve ligjore do të rezultojë me një numër më të vogël të hospitalizimeve dhe përfitime afatgjata për mbarë shoqërinë.
Oda e Mjekëve mbetet e gatshme të marrë pjesë aktivisht në krijimin e vetëdijes publike për rreziqet nga përdorimi i produkteve të nikotinës dhe duhanit, si dhe të japë mbështetje për masat që çojnë drejt një komuniteti më të shëndetshëm, më të sigurt dhe më të ndërgjegjshëm.





