Deklaratë e nënshkruar për promovimin dhe mbështetjen e vaksinimit
Me iniciativë të Odës së Mjekëve, përfaqësues të shquar të organizatave shkencore, arsimore dhe profesionale sot nënshkruan Deklaratë për promovimin dhe mbështetjen e vaksinimit. Oda e Mjekëve vlerëson se rëndësi të madhe ka që opinioni profesional t'u dërgojë qytetarëve një mesazh të qartë dhe të përbashkët për rëndësinë e vaksinimit si masë e provuar shkencërisht dhe më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.
“Është dëshpëruese që besimi i qytetarëve është lëkundur deri në atë masë që përfshirja me të gjitha vaksinat nga kalendari i rregullt i imunizimit është nën 90 %, edhe pse për të arritur mbrojtje kolektive duhet të jetë mbi 95 % . Për rrjedhojë kemi një epidemi të kollës së keqe dhe është gjithnjë e më e sigurt se do të përballemi sërish me një tjetër epidemi të fruthit. Po ashtu, dëshpërues është fakti që në shekullin e 21 të spikatim domosdoshmërinë dhe rëndësinë e imunizimit të popullsisë për sëmundjet infektive që ishin të çrrënjosura ose kishte vetëm raste sporadike. Shpresoj që me nënshkrimin e këtij dokumenti dhe prezantimin e qëllimeve që janë të theksuara në vetë tekstin e Deklaratës, do të arrijmë një hap para në rikthimin e besimit të qytetarëve në arritjet mjekësore dhe faktet shkencore”, tha Prof. Dr. Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Ajo theksoi se rënia e mëtejshme e përfshirjes së vaksinimit të fëmijëve do të sjellë pasoja të rëndësishme për shëndetin e kombit dhe për këtë arsye është e nevojshme të sigurohet mbështetja më e gjerë publike për vaksinimin dhe të punohet në vazhdimësi në edukimin e qytetarëve për rolin dhe përfitimet e imunizimit për shëndetin e njerëzve, përmes informacioneve të siguruara të bazuara në fakte shkencore.
Në Deklaratën në Mbështetjen e Vaksinimit citohet se “ imunizimi dhe vaksinat janë një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit dhe asnjë ndërhyrje tjetër mjekësore nuk ka shpëtuar më shumë jetë. Po ashtu potencohet se përhapja e informacioneve të paverifikuara për vaksinimin shkakton frikë të pajustifikuar tek prindërit, që ka sjellë një rënie alarmante të numrit të fëmijëve të vaksinuar.
“Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të publikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformatave në çdo segment të shoqërisë, por dezinformatat për sa i përket shëndetit mund të jenë kërcënuese për jetën. Për atë, është e domosdoshme të punohet së bashku në ngritjen e nivelit të edukimit shëndetësor të popullatës, duke pasur parasysh se shumë sëmundje parandalohen pikërisht për shkak të vaksinimit. Me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët, ne formojmë një front më të gjerë për të mbështetur vaksinimin, për të ruajtur vazhdimësinë e aktiviteteve, duke theksuar rëndësinë e imunizimit. Synimi ynë i përbashkët është mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të qytetarëve dhe vetëm së bashku – me komunitetin e mjekëve, mund ta realizojmë këtë qëllim”, tha ministri i Shëndetësisë, Dr. Ilir Demiri.
Deklaratën e nënshkruan edhe kryetarët e Odës Stomatologjike dhe Farmaceutike, Dr. Marijan Denkovski dhe Dr. Vesna Stavrova, dekanët e tre Fakulteteve të Mjekësisë në Shkup, Shtip dhe Tetovë, Prof. Dr Svetozar Antoviq, Prof. Dr Milka Zdravkovska dhe Prof. Dr. Nevzat Elezi, si dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Dr. Shaban Memeti.