Oda e Mjekëve pret Simpoziumin e 32-të të ZEVA-s

Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut është nikoqire e Simpoziumit ZEVA të këtij viti, i cili po mbahet më 5 dhe 6 shtator 2025 në hotel "Limak" në Shkup. Në këtë ngjarje janë të pranishëm përfaqësues nga odat e mjekëve nga 12 vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, të cilët po diskutojnë tema kyçe për zhvillimin e profesionit mjekësor dhe të sistemeve shëndetësore.
Në simpozium trajtohen katër tema kryesore, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për të ardhmen e sistemit shëndetësor dhe të odave mjekësore. Sesioni i parë i dedikohet aplikimit të inteligjencës artificiale në mjekësi, gjegjësisht se si teknologjitë e reja mund të përmirësojnë diagnostikimin, trajtimin dhe administratën në shëndetësi. Në sesionin e dytë u diskutua për rolin e mjekëve të rinj dhe përfshirjen e tyre në punën e odave. Sesioni i tretë do të jetë i dedikuar përfshirjes së odave në planifikimin e stafit shëndetësor, si dhe strategjive që aplikohen në vende të ndryshme për të përmirësuar efikasitetin në menaxhimin e burimeve njerëzore në shëndetësi. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe njohjes së diplomave të huaja, sepse kjo është e rëndësishme për lëvizshmërinë e mjekëve dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve.
"Simpoziumi ZEVA është një ngjarje veçanërisht e rëndësishme, sepse shërben si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet odave të mjekëve nga disa shtete, gjë që ndihmon në krijimin e propozimeve për avancimin e sistemit shëndetësor. Sa i përket inteligjencës artificiale, e cila është gjithnjë e më e pranishme në mjekësi, të gjithë ramë dakord që odat e mjekëve duhet të përfshihen në krijimin e rregulloreve për aplikimin e saj. Mund të marrim përvoja pozitive nga Austria, ku tashmë është vendosur një sistem në nivel shtetëror për aplikimin e saj. Lidhur me mjekët e rinj, si shembull pozitiv vlerësojmë atë të Serbisë, ku njëqind studentët më të mirë që diplomohen në fakultetet e mjekësisë punësohen në shëndetësinë publike. Duhet të vendosen rregulla që do të mbrojnë mjekët dhe pacientët nga gabimet e mundshme të inteligjencës artificiale", theksoi Prof. Dr. Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Përveç Austrisë dhe Serbisë, përfaqësues nga Gjermania, Kroacia, Polonia, Rumania, Çekia, Ukraina, Republika Srpska, Shqipëria dhe Mali i Zi paraqitën gjithashtu raporte mbi situatën në vendet e tyre. Në simpozium merr pjesë edhe një përfaqësues i Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë (CPME), i cili prezantoi aktivitetet e kësaj organizate, e cila përfaqëson zërin e 1.7 milionë mjekëve nga 37 vende evropiane.
Në fillim të ngjarjes, të pranishmit i përshëndeti edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Simpoziumi ZEVA është një ngjarje vjetore që organizohet me qëllim që të mbështetet, promovohet dhe zgjerohet roli dhe puna e shoqatave profesionale të odave, të shkëmbehen përvoja dhe mendime, si dhe të miratohen qëndrime dhe të jepen propozime në fushën e veprimit të tyre, por edhe në funksion të përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor cilësor dhe të arritshëm për popullsinë. Këtë vit organizohet Simpoziumi i 32-të, ndërsa deri më tani në vendin tonë janë organizuar pesë ngjarje të tilla. Vitin e ardhshëm, nikoqire e ZEVA do të jetë Oda e Mjekëve e Austrisë.